Çfarë u raportua
Më 13 nëntor 2026, Administrata Federale e Aviacionit në SHBA urdhëroi ndalimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve për shkak të problemeve teknike të komunikimit në qendrat e kontrollit të trafikut ajror.
Një ditë më vonë, një video virale ku shiheshin qindra udhëtarë të bllokuar duke fjetur krah njëri-tjetrit në dyshemenë e një aeroporti amerikan u përhap në rrjetet sociale, përfshi redaksitë tradicionale, si shqiptarja.com. Pamjet u paraqitën si dëshmi reale e situatës dramatike me të cilën u përballën pasagjerët.

Çfarë gjetëm
1.Detaji qesharak në posterat e 'Coca-Cola'
Elementi më qesharak që demaskon menjëherë videon ndodhet në sfond: njoftimet për “fluturime të anuluara” nuk shfaqen në ekranet elektronike të aeroportit, por në postera të printuar me logon e Coca-Cola-s.

2.'Klonimi' i udhëtarëve dhe trupat që shkrihen
Ashtu siç ndodh shpesh me videot sintetike që tentojnë të krijojnë turma njerëzish, algoritmi ka dështuar në anatomi. Në një kornizë të videos shfaqen dy gra plotësisht identike (klone), të veshura me të njëjtën bluzë rozë me kapuç, duke fjetur ngjitur me njëra-tjetrën. Në pjesë të tjera të dyshemesë, gjymtyrët dhe trupat e pasagjerëve shkrihen fizikisht me njëri-tjetrin në forma të panatyrshme.

3.Konfirmimi nga mjetet e detektimit
Përtej anomalive të dukshme me sy të lirë, analiza teknike pjesëve nga video përmes InVid, konfirmoi se materiali është gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale.

Analiza
Rënia e portaleve të vogla në kurthin e përmbajtjeve sintetike është kthyer në rutinë, por kur media me peshë dhe me redaksi të strukturuara si Shqiptarja.com publikojnë pamje të tilla si lajm, problemi merr përmasa alarmante.
Me sa duket, nxitimi për të qenë i pari me pamje “tronditëse” anashkalon kontrollin redaksional, duke bërë që çdo halucinacion sintetik të kalojë filtrin e lajmeve kombëtare.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Shikoni tekstet dhe tabelat në sfond:
Gjeneruesit e videove sintetike kanë ende vështirësi të mëdha me kuptimin logjik të mbishkrimeve, duke krijuar skena qesharake, si në këtë rast.
- Kërkoni “binjakët” në turmë:
Kur IA krijon skena me shumë njerëz, ajo shpesh bën copy-paste të njëjtën fytyrë dhe të njëjtat rroba dy ose tre herë pranë njëra-tjetrës.
Verdikti
Megjithëse bllokimi i trafikut ajror nga FAA ka ndodhur vërtet, videoja në fjalë është gjeneruar me Inteligjencë Artificiale. Për këtë arsye, këtij raportimi i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si Çinformim. Video e rreme, e shpërndarë pa qëllim dashakeq, por me pasoja çinformuese për publikun.