Çfarë u raportua
Në fund të shtatorit, një video është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, përfshirë dhe në disa portale shqiptare, si Lajmësi.al, Telegraf dhe Atom News.

Videoja tregon ushtarë me mbishkrimin “NABU” (Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit në Ukrainë) në jelekët e tyre, duke hapur kuti frigoriferësh. Sipas lajmit, brenda kutive u gjetën 140 milionë dollarë kesh gjatë një bastisjeje në shtëpinë dhe zyrat e ish-kreut të Agjencisë së Prokurimit të Mbrojtjes në Ukrainë, Arsen Zhumadilov.
Mbi njërën prej kutive shfaqet një shënim i verdhë ku shkruhet në gjuhën ukrainase: “Për shërbëtorin e popullit”, një referencë ironike ndaj partisë së Presidentit Zelensky.
Çfarë gjetëm
1.Klonimi i Medias (Sajti Fantazmë)
Gjurmimi i origjinës së këtij lajmi të çon në një artikull të publikuar më 23 shtator në uebsajtin e dyshimtë nvukraine.com.

Ky sajt imitonte dizajnin e medias legjitime ukrainase New Voice of Ukraine (NV). Të dhënat e regjistrimit në WhoIs tregojnë se ky sajt fantazmë u hap më 21 shtator, pra vetëm dy ditë para se të plaste “skandalin”, mbushur me artikuj të vjedhur nga media e vërtetë për t’u dukur serioz.

Media origjinale NV deklaroi zyrtarisht se nuk ka asnjë lidhje me këtë domen.

2.Zëri i gjeneruar me Inteligjencë Artificiale
Videoja që shoqëronte lajmin kishte një narrator në gjuhën angleze që imitonte stilin e raportimeve të medias NV. Megjithatë, mjetet e avancuara të detektimit audio Invid e klasifikuan audion si me shumë gjasa të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale. Narrativa përziente fakte reale (dorëheqjen e Zhumadilov) me trillime vizuale.

3.Përgënjeshtrimi zyrtar nga NABU
Agjencia anti-korrupsion e Ukrainës, NABU, doli në një deklaratë zyrtare duke e mohuar kategorikisht këtë operacion. Ata deklaruan se asnjëherë nuk kanë bastisur zyrat e Zhumadilov dhe theksuan se videoja është përgatitur nga faktorë të huaj me qëllim “diskreditimin e agjencive anti-korrupsion dhe dëmtimin e imazhit të Ukrainës”.

Analiza
Ky rast shërben si një leksion për të kuptuar dallimin mes dezinformimit dhe çinformimit.
Për krijuesit e huaj të lajmit (dezinformim):
Ngritja e një sajti klon, blerja e një domeni dy ditë para publikimit, dhe përdorimi i zërave sintetikë me AI, janë hapa që kërkojnë para, kohë dhe planifikim. Ekspertët ndërkombëtarë i lidhin këto operacione të sofistikuara me fushata të propagandës ruse, të cilat synojnë të minojnë mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën duke fabrikuar skandale korrupsioni. Ky është një akt i llogaritur për të shkaktuar dëm.
Për portalet shqiptare (çinformim):
Kur portalet vendase të lartpërmendura publikuan këtë video, ato me shumë gjasa nuk kishin asnjë prapavijë gjeopolitike apo dëshirë për të ndihmuar propagandën ruse. Në këtë rast, portalet shqiptare u kthyen në “idiotë të dobishëm” të një propagande të huaj, duke thelluar çinformimin e publikut nga përtacia profesionale.
Si ta dallosh herën tjetër?
- Verifikoni adresën e faqes:
Klonimi i mediave të mëdha është një taktikë e njohur. WhoIs, inkorporuar në mjetet tona, ju lejon të shihni se kur është regjistruar një domen dhe kush e ka regjistruar. Nëse një faqe duket si një media e njohur, por është e re dhe nuk ka histori, jini skeptikë.
- Kërkoni konfirmime institucionale:
Bastisja e 140 milionë dollarëve kesh është një operacion aq masiv sa do të ishte në çdo faqe të parë të Reuters, AP, apo vetë institucionit shtetëror që po e kryen atë. Nëse ekziston vetëm si “video rrjetesh sociale”, jini skeptikë.
- Mos u besoni “logove”:
Logoja e një institucioni (si NABU) mbi një jelek mund të blihet, ndërsa logoja e një media mund të montohet digjitalisht. Ato nuk janë provë vërtetësie.
Verdikti
Videoja u publikua nga një sajt fantazmë i ngritur për propagandë, përmban zëra të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, dhe është përgënjeshtruar zyrtarisht nga autoritetet anti-korrupsion në Ukrainë. Për këtë arsye, këtij lajmi i japim verdiktin: I rremë.
Klasifikimi
Ky rast klasifikohet si dezinformim nga burimi origjinal dhe çinformim për portalet shqiptare që e përkthyen dhe e shpërndanë pa verifikuar vërtetësinë e tij, duke u kthyer në altoparlantë të propagandës.